Musliu-Shoshi, PDK: Vendimi i dyshes Kurti – Osmani për ambasadorët, skandaloz dhe i dëmshëm për Kosovën

Prishtinë, 20 maj 2020 - Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi në një konferencë për media ka kritikuar vendimin skandaloz dhe të paprecedent të Qeverisë Kurti dhe Presidentes Osmani për tërheqjen e Ambasadorëve të Republikës së Kosovës nga misionet diplomatike. 

Musliu-Shoshi ka thënë se këto veprime e rrezikojnë funksionimin e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, si dhe limiton aftësitë dhe mundësitë e Kosovës për të qenë aktive në arenën ndërkombëtare, pikërisht kur bota po del nga pandemia. 

"Tërheqja e Ambasadorëve pa një plan, pa një vlerësim të punës së tyre, dhe mbi të gjitha në mënyrë të padinjitetshme karshi punës dhe integritetit të tyre, tregon që kjo qeveri nuk e ka idenë se si të përfaqësojë Kosovën jashtë vendit dhe si të sillet me shtetet me të cilat Kosova ka marrëdhënie diplomatike.", ka thënë ajo. 

Musliu-Shoshi ka theksuar se tërheqja e Ambasadorit nga Haga tregon se Qeveria Kurti po synon ta vështirësojë edhe më tej mbrojtjen e çlirimtarëve në Gjykatën Speciale. 

"Është skandaloze, por pjesë e veprimeve të javëve të fundit, që Kosova të tërheqë Ambasadorin nga Haga, i cili përveç që njeh veprimtarinë e Gjykatës Speciale dhe komunikimin me të në emër të shtetit të Kosovës, ka pasur marrëdhënie dhe kontakt personal me të gjithë çlirimtarët që po mbahen padrejtësisht në Hagë, si ish-presidenti Thaçi, ish-kryetari Veseli dhe të tjerë.", ka thënë ajo. 

Deklarata e plotë e Ariana Musliu-Shoshit: 

Të nderuara media,

Të dashur të qytetarë të Kosovës, 

Tërheqja e Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, në një kohë të pandemisë, dhe në një formë të tillë grupore, pa vlerësuar individualisht punën e secilit prej tyre, paraqet një veprim skandaloz dhe që vë në pikëpyetje raportet e shtetit tonë me vendet mike ku diplomatët janë akredituar. 

Ky veprim është i paprecedentë në historinë e Kosovës dhe si i tillë Qeveria Kurti ka marrë veprime që rrezikojnë funksionimin e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës dhe që e largojnë Kosovën nga ushtrimi i politikës së jashtme duke lënë ambasadat pa shefat e misioneve. 

Kjo limiton aftësitë dhe mundësitë e Kosovës për të qenë aktive në arenën ndërkombëtare, pikërisht kur bota po del nga pandemia dhe duhet më shumë se kurrë një dinamikë e re nga ana e shtetit tonë. 

Është e paprecedent që të bëhet një tërheqje e Ambasadorëve të Republikës së Kosovës në mënyrë të tillë sikurse ka vepruar Qeveria Kurti dhe Presidentja Osmani. 

Është e padinjitetshme për ta dhe shërbimin e tyre në emër të Kosovës sepse nuk bëhet fjalë vetëm për emra të përveçëm por për ambasadorë të Kosovës të akredituar me një vendim mik. 

Në shumë raste, ambasadorët nuk e kanë kaluar as gjysmën e mandatit, dhe në raste të tjera do të paraqiten sfida politike ose nga pandemia që do ta ngadalësojnë dërgimin e ambasadorëve të rinj. 

Me veprimet e fundit, Kosova do të ketë afër 25 ambasada dhe misione diplomatike në botë pa shefa të misioneve. Shumë vende strategjike për Kosovë si Uashingtoni, Londra, Berlini, Parisi, Brukseli dhe vende rajonale dhe jashtë Evropës të rëndësishme për promovimin e shtetësisë së Kosovës do të jenë të zbrazëta.

Ambasadorët i kanë shërbyer Kosovës me dinjitet. Kanë përfaqësuar vendin në një kohë të vështirë kur janë përballuar me pandeminë por edhe me tranzicionin e disa qeverive brenda një periudhe të shkurtë, gjë që ka vështirësuar punën e tyre. 

Me një mungesë totale të komunikimit të MPJD-së dhe të vet Ministres së Jashtme me Ambasadorët për disa javë, Qeveria Kurti ka hendikepuar misionet diplomatike që nga ardhja në pushtet. 

Ambasadorët e Kosovës nuk janë armiq të qeverisë. Por, përfaqësuesit që kanë kryer punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme dhe i kanë shërbyer vendit. 

Tërheqja e Ambasadorëve pa një plan, pa një vlerësim të punës së tyre, dhe mbi të gjitha në mënyrë të padinjitetshme karshi punës dhe integritetit të tyre, tregon që kjo qeveri nuk e ka idenë se si të përfaqësojë Kosovën jashtë vendit dhe si të sillet me shtetet me të cilat Kosova ka marrëdhënie diplomatike. 

Në rastin më të mirë Qeveria Kurti nuk do të mund të dërgoj Ambasadorët e rinj para vjeshtës, dhe tërheqja pa propozimin e Ambasadorëve të rinj shkakton krizë në diplomacinë e Kosovës. 

Në një kohë kur shumë vende janë të mbyllura nga pandemia, largimi dhe dërgimi i Ambasadorëve është proces i gjatë. 

Në një kohë kur Qeveria e re e Malit të Zi refuzon të dërgoj trupat në misionin e KFOR-it edhe pse anëtare e NATO-s, Qeveria e Kosovës tërheq Ambasadorin në këtë shtet pa u siguruar që do të mund të pranohet shpejtë një Ambasador nga po e njëjta qeveri, duke rrezikuar prezencën e Kosovës në një vend strategjik për të. 

Është skandaloze, por pjesë e veprimeve të javëve të fundit, që Kosova të tërheqë Ambasadorin nga Haga, i cili përveç që njeh veprimtarinë e Gjykatës Speciale dhe komunikimin me të në emër të shtetit të Kosovës, ka pasur marrëdhënie dhe kontakt personal me të gjithë të çlirimtarët që po mbahen padrejtësisht në Hagë, si ish-presidenti Thaçi, ish-kryetari Veseli dhe të tjerë. 

Ky është mesazhi nga të shumtët e këtyre ditëve të fundit që kjo qeveri po dërgon – ta vështirësoj edhe më shumë mbrojtjen e tyre me veprimet e njëpasnjëshme.

Qeveria Kurti po dërgon mesazh të keq ndaj botës. Kjo qeveri po dërgon mesazh të keq ndaj çdo kujt që i ka shërbyer këtij vendi. 

Kjo qeveri po dërgon mesazh që përndjekja politike është e vetmja që di të bëjë, por assesi respektimi i çdokujt që ka kontribuar ndaj këtij vendi. 

Edhe njëherë presidentja e vendit ka treguar që është presidente në shërbim të Vetëvendosjes, por assesi të Kosovës. Ajo për një kohë të shkurtër ka degraduar institucionin e Presidentit. Ka ndjekur politikat dhe interesat e qeverisë dhe assesi të vendit. Me veprimet e fundit ajo ka bërë rrezikimin e funksionalitetit të shërbimit të jashtëm. 

Qeveria prapë ka dëshmuar që nuk ka asnjë respekt për Kuvendin duke mbajtur Komisionin për Punë të Jashtme në mjegull për veprimet e fundit. 

Qeveria Kurti ka paralizuar politikën e jashtme të Kosovës. Me veprimet e fundit ka goditur rëndë diplomacinë e Kosovës. Ka ofruar një program pa vizion, pa ambicie, pa qëllime dhe pa targete në politikën e jashtme. Nën Qeverinë Kurti politika e jashtme dhe diplomacia do të jenë të suspenduar.

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.