Nikaj, PDK: Po mungojnë veprimet konkrete të Qeverisë - të shpallet gjendje emergjente për furnizim me energji

Prishtinë – Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj ka mbajtur sot Konferencë për media përmes së cilës ka kërkuar nga Qeveria që të marrë hapa urgjent në lidhje me krizën energjetike.

Nikaj ka kërkuar të shpallet gjendje emergjente në furnizim sipas ligjit për energji, e cila më pas do të rriste kompetencat e qeverisë për të intervenuar në treg.

Nikaj ka thënë se assesi nuk duhet të lejohet rritja e çmimit të energjisë për qytetarët, të cilët të goditur nga pasojat e pandemisë do ta rëndoheshin edhe me shumë.

Fjalimi i plotë i z. Nikaj:

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të dashur qytetarë,

Për më shumë se tre muaj, Partia Demokratike e Kosovës, ka alarmuar lidhur me krizën energjetike e cila po afrohej. Përkundër kësaj, Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka neglizhuar problemin dhe ka dështuar të hartojë e të ndërmarrë masa të cilat së paku do të krijonin një siguri në përballje me këtë krizë.

Duke e ditur profilin tonë të konsumit si dhe kapacitet e limituara të gjenerimit, sidomos për periudhën e vjeshtës dhe dimrit për të mbuluar kërkesën për konsum, deklarimet e kësaj qeverie vetëm pak jave më parë ishin se Kosova nuk është prekur dhe na e mbulojmë shumicën e konsumit vendor, pra një neglizhim dhe amatorizëm total për arsye të mos dijes por edhe kalkulimeve politike. Mospranimi i krizës ka qenë kalkulim politik i lidhur me zgjedhjet lokale.

Sot pasojat po i vuan e gjithë Kosova.

Kjo qeveri jo që nuk ndërmori asnjë masë të adresonin problemin në rritje me të cilën këta akterë po ballafaqoheshin, por në mes të krizës, një entiteti të rregulluar si KOSTT i cili fitimet eventuale do të duhej t’ua kthente konsumatorëve, i morën dividendin 20 milionë euro. Se sa i gabuar ishte ky vendim tregon fakti se vetëm pak muaj më vonë, pra dje, në mbledhjen e Qeverisë u mor vendimi për kthimin e këtij dividendi. Edhe më keq, këto mjete janë përdorur për mbulimin e shpenzimeve të rrymës për furnizim të veriut.

Kosova sot gjendet në një krizë të thellë energjetike. Ashtu siç jemi të gjithë dëshmitarë, ditëve të fundit jemi përballur me reduktime të pakontrolluara të energjisë elektrike. Edhe më keq, nuk kemi qartësi se deri kur do të zgjas një situatë e tille e edhe më pak, cilat janë masat që po ndërmerren për të tejkaluar këtë situatë?

Vendimi i ditëve të fundit për ndarjen e 20 milionë eurove për subvencionim të importit të energjisë është vendim i duhur. Mirëpo, këto mjete që tashmë kanë filluar të shpenzohen, në raport me çmimet aktuale të energjisë në tregjet ndërkombëtare, nuk do të mjaftojnë as për 7 ditët e mbetura të këtij viti.

Sot, çdo ditë po rrezikohet furnizimi i qytetarëve të Kosovës me energji elektrike.

Sot i presim bashkatdhetarët tanë nga diaspora pa rrymë e pa ngrohje.

Sot nuk mjaftojnë arsyetimet e fajësimet. Sot qeveria po deklarohet që pret zgjidhje nëse bie shi e borë në Shqipëri. Nuk mjafton të presim që të vije një ekspert gjerman për te rregulluar turbinën e Bllokut 2 në Kosovën B.

Sa për rikujtim, derisa ne debatojmë në terr e të ftohtë, dje Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nënshkroi një kontratë huamarrje me EIB për 28.9 milionë investime në ndërtimin e gazsjellësit me Greqinë. Në ndërkohë, ne jemi dëshmitarë të një banalizimi të skajshëm të projektit për ndërtimin e gazsjellësit në Kosovë.

Po mungojnë veprimet konkrete e të guximshme nga Qeveria.

Mbi të gjitha, këto veprime të Qeverisë po bëhen në kurriz të qytetareve dhe bizneseve. Rritja e çmimit të energjisë, në një kohë të rritjes së përgjithshme të çmimeve, pa ofruar alternativa për ngrohje do të ketë ndikim katastrofal në ekonomitë familjare të qytetarëve tanë.

Sot, ngrohja nuk është luks, nuk është komoditet vetëm për Zyrën e kryeministrit dhe ministrave. Është nevojë dhe e drejtë elementare për secilin qytetar.

Prandaj, është e domosdoshme që:

-             Të shpallet Gjendje emergjente në furnizim sipas Ligjit për energji, e cila më pas do të rriste kompetencat e Qeverisë për të intervenuar në treg.

-             Të mos lejohet rritja e çmimit të energjisë për qytetaret, të cilët janë të goditur nga pasojat e pandemisë, do të rëndoheshin edhe më shumë.

-             Edhe pse në mes të krizës, në buxhetin e aprovuar para pak ditësh, nuk kemi asnjë shkronjë apo linjë buxhetore që adreson këtë situatë emergjente. Andaj ne kërkojmë që në mënyrë urgjente të ndahet një fond i furnizimit emergjent për vitin 2022, i cili në vazhdimësi dhe varësisht nga prodhimi vendor si dhe nevoja për import do të garantonte furnizim të sigurt me energji për të gjithë qytetarët dhe bizneset.

-             Të hiqet për periudhën e krizës tantiema e qymyrit për KEK-un dhe proporcionalisht të ulet çmimi në mënyrë që efektet pozitive të barten te qytetari.

-             Të ketë plan dhe transparencë për orarin e ndaljes së furnizimit me rrymë, në mënyrë që qytetarët të jenë në gjendje të bëjnë planifikimet e aktiviteteve ditore

-             Sensibilizimin e krejt mekanizmave ndërkombëtarë dhe në veçanti BE-së që të kërkojë përgjegjësi nga Serbia, përgjegjësi e cila lidhet me bllokimin e linjave dhe pamundësinë e alokimit të kapaciteteve ndërkufitare, po e vështirëson importin dhe po e rrit koston edhe ashtu të lartë të këtij importi në këtë periudhë. Ky veprim i Serbisë sanksionohet rreptë edhe me Traktatin e Komunitetit të Energjisë, ku palë nënshkruese janë edhe Serbia edhe Kosova.

-             Ndërmarrjen e të gjithë hapave të nevojshëm për të adresuar situatën me furnizim të energjisë në veri.

Para së gjithash, Qeveria të fillojë të bëj punën e vet. Të qeveris, mos të arsyetohet por të marrë përgjegjësi dhe të ofrojë zgjidhje.

Urime Festat!

Faleminderit!


PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.