PDK për Kushtetutën e Kaçanikut: Hap i madh politik i popullit tonë

Partia Demokratike e Kosovës, në përvjetorin e 31-të, të miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, ka shprehur nderim për këtë akt i cili “u bë referencë e një rendi politik demokratik që ishte synim i popullit tonë, e që u bë realitet me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në aleancë me NATO-n, të cilin rend, sot e kemi obligim ta mirëmbajmë e zhvillojmë në shtetin tonë sovran, për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim”.

Në deklaratën rreth këtij përvjetori, thuhet po ashtu se “ky akt historik, vlera e të cilit qëndron në manifestimin e hapur të aspiratës për shtet sovran, të pavarur e demokratik, përbën një ndër kapitujt më të çmuar të historisë sonë politike si komb”.

Deklarata e plotë e PDK-së:

Kushtetuta e Kaçanikut e miratuar më 7 shtator 1990, si akt pasues i Deklaratës së Pavarësisë së 2 korrikut të atij viti, përkundër rrethanave shtrënguese të okupimit, shënon një kapërcim të madh politik të popullit tonë, në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.

Ky akt historik, vlera e të cilit qëndron në manifestimin e hapur të aspiratës për shtet sovran, të pavarur e demokratik, përbën një ndër kapitujt më të çmuar të historisë sonë politike si komb.

Në shënim të 31 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Kaçanikut, nderojmë sot të gjithë përfaqësuesit e popullit të Kosovës, gra dhe burra vizionarë e të guximshëm, të cilët me 7 shtator, në rrethana të një gjendjeje të jashtëzakonshme, të përcjellë me dhunën dhe represionin serb gjithandej vendit, e miratuan këtë akt, për të shënuar kështu preludin e pashmangshëm të lirisë dhe pavarësisë.

Kushtetuta e Kaçanikut u bë referencë e një rendi politik demokratik që ishte synim i popullit tonë, e që u bë realitet me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në aleancë me NATO-n, të cilin rend, sot e kemi obligim ta mirëmbajmë e zhvillojmë në shtetin tonë sovran, për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.