Reçica, PDK: Po rritet dhe fuqizohet prezenca jonë në mërgatë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh Kryetar i Komisionit për Organizimin e PDK-së në Mërgatë, Elmi Reçica, vlerësoi lartë kontributin e anëtarësisë së gjerë në Zvicër, pas konstituimit të Degës së kësaj partie në Zvicër, themelimin e 17 nëndegëve në të gjitha kantonet e këtij shteti dhe procesin e zgjedhjes së kryetarit të degës, z. Ragip Xhaka.

Z. Reçica ka theksuar se “në praninë e një numri të madh të bashkatdhetarëve, veprimtarëve dhe aktivistëve të shquar, intelektualëve, biznesmenëve të suksesshëm, të rinjve e të rejave, të kryetarit të PDK-së Memli Krasniqit dhe strukturave drejtuese të partisë është mbajtur Kuvendi i shkëlqyer Zgjedhor i Degës së PDK-së në Zvicër”.

PDK-ja po e rritë dhe fuqizon prezencën në mërgatë, me qëllim të krijimit të hapësirës për bashkatdhetarët tanë që të bashkohen në rrugëtimin e përbashkët për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën, ka deklaruar Elmi Reçica.

Postimi i plotë i tij në rrjetin social:

“Pas një pune të gjatë e këmbëngulëse dhe angazhimit të gjitha strukturave të PDK-së si dhe në veçanti angazhimit të fuqishëm të mërgatës sonë, u konkretizua konstituimi i Kuvendit Zgjedhor të Degës së PDK-së në Zvicër.

E filluam me konstituimin e Kuvendit Zgjedhor të nëndegës në Gjenevë dhe rrugëtuam anekënd Zvicrës duke themeluar gjithsej 17 nëndegë në të gjitha Kantonet e saj. Gjatë kësaj periudhe pune dhe angazhimi u arrit një mobilizim i madh dhe u shtua jashtëzakonisht shumë interesimi për të qenë pjesë e strukturave të PDK-së.

Fillimi i këtij viti shënoi rritjen intensitetit të punës dhe angazhimit për të konkretizuar rrugëtimin drejt mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor të Degës në Zvicër, ku fillimisht themeluam Këshillin për Organizimin e Kuvendit të Degës së PDK-së në Zvicër dhe caktuam 14 majin si datë për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor.

Falënderoj të gjithë ata veprimtarë të cilët punuan pa u ndalur dhe me vetëmohim të pashoq për të krijuar kushte për organizimin e Kuvendit.

Në praninë e një numri të madh të bashkatdhetarëve, veprimtarëve dhe aktivistëve të shquar, intelektualëve, biznesmenëve të suksesshëm, të rinjve e të rejave, të kryetarit të PDK-së Memli Krasniqit dhe strukturave drejtuese të partisë është mbajtur Kuvendi i shkëlqyer Zgjedhor i Degës së PDK-së në Zvicër.

Me këtë rast kryetar i Degës u zgjodh, Ragip Xhaka, veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare dhe i PDK-së. Kuvendi Zgjedhor po ashtu ka zgjedhur edhe anëtarët e Këshillit Drejtues dhe më pastaj do të vijojnë edhe me zgjedhjet për Kryesinë e Degës, ku së bashku do ta jetësojmë vizionin e PDK-së për transformimin e Kosovës.

Urime të gjithë delegatëve të zgjedhur në strukturat drejtuese të Degës si dhe të gjithë delegatëve pjesëmarrës të këtij Kuvendi zgjedhor!

PDK-ja po e rritë dhe fuqizon prezencën në mërgatë, me qëllim të krijimit të hapësirës për bashkatdhetarët tanë që të bashkohen në rrugëtimin e përbashkët për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën.”


PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.