Stavileci, PDK: Jemi kundër rritjes së çmimit të rrymës, Qeveria të mos e ngarkojë xhepin e familjeve kosovare

Prishtinë, 18 janar 2022 - Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci përmes një konference për media ka shprehur shqetësimin e kësaj partie lidhur me propozimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike, gjë që do ta godas rëndë xhepin e qytetarëve të e Kosovës, tashmë të rënduar nga përballja me pandeminë. 

Stavileci ka thënë se pak më shumë se një dekadë shtet, Qeveria po instalon pabarazi dhe diskriminim dhe me vetëdije të plotë po e kthen vendin tek subvencionimi i tarifave dhe te reduktimet, ka theksuar se është tërësisht e padrejtë dhe thellësisht diskriminuese që 30% e konsumatorëve të bartin koston shpenzimit të 70% të konsumatorëve të tjerë. 

Kjo pritet të jetë rritja më madhe e çmimit të energjisë elektrike në historinë e vendit dhe PDK e kundërshton fuqimisht këtë veprim. 

Fjalimi i plotë i Blerand Stavilecit: 

Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin më të thellë për gjendjen e krijuar në vendin tonë, sidomos pas propozimeve për shtrenjtimin e energjisë elektrike, të cilat do t’i godasin rëndë qytetarët e vendit tonë në cilësinë e konsumatorëve të rregullt, amvisëritë dhe bizneset. 

Paralajmërimet tona të shumta ndaj Qeverisë për të ndërmarrë hapa adekuatë për zgjidhjen e problemeve me kohë, në mënyrë që edhe të ketë furnizim të sigurt me energji e edhe të mos ketë ngritje të çmimeve, sot janë bërë realitet dhe masat e propozuara nuk përkojnë aspak me gjendjen ekonomike të familjeve kosovare.  

Propozimi për rritjen e tarifave të energjisë pas një periudhe të rëndë ekonomike si rezultat i pandemisë, e cila po vazhdon të jetë e tillë, madje edhe më e rënduar, është njëra nga goditjet më të ashpra që po i bëhet qytetarëve të vendit tonë sot, të cilët, fatkeqësisht dhe padrejtësisht, do të përballen me pasojat e shtrenjtimit më të madh të rrymës në historinë e Kosovës. 

Kjo rritje do të rëndojë edhe më shumë mirëqenien sociale të qytetarëve dhe pabarazinë sociale, veçanërisht në kohën kur edhe ashtu të gjitha çmimet e produkteve primare të konsumit janë rritur dhe kjo rritje do të vazhdojë me efekte zinxhirore edhe më të mëdha.  

Përmes kthimit te blloktarifa po tentohet të zhvendoset piku i konsumit dhe të stimulohet kursimi, por në të njëjtën kohë kjo rritje po përcillet me një diskriminim të drejtpërdrejtë për konsumatorët të cilët energjinë elektrike e kanë si burim të vetëm të ngrohjes, e në anën tjetër nuk po shohim asnjë masë të mbështetjes së mirëfilltë nga Qeveria qoftë në ofrimin e burimeve alternative qoftë në efiçencën e energjisë. 

 Thënë ndryshe në qoftë se të hyrat maksimale të lejuara nga 314 milionë Euro kanë shkuar në 446 milionë Euro, kosto shtesë e sistemit është 132 milionë Euro. Nën supozimin se Qeveria subvencionon me 75 milionë euro atëherë kosto shtesë për konsumatorët e goditur është 57 milionë Euro apo mesatarisht 285 Euro mbi vlerën aktuale të faturës vjetore. 

Rritja reale totale është 42%, por për shkak të blloktarifave, rritja te konsumatorët 800 dhe 1000 kW/h është 57% dhe 87%. 

Pra, përsërisim se është tërësisht e padrejtë dhe thellësisht diskriminuese që 30% e konsumatorëve të bartin koston e rritjes të krejt sistemit apo të 70% të konsumatorëve të tjerë. E në fakt kemi të bëjmë me më shumë se 50% nëse llogariten amvisëritë reale ku jetohet dhe punohet çdo ditë e të cilat shpenzojnë më shumë se 600 kW/h në muaj. 

Për më keq, kjo rritje mund të adresojë nevojat për koston e sistemit në periudhën para nesh, por nuk ka asnjë përgjigje se si do të trajtohen borxhet aktuale mes palëve të sektorit të cilat kalojnë shifrën e 100 milionë eurove. Për më shumë, sot rrjeti ynë i transmisionit KOSTT, si shtylla kryesore e sigurisë së furnizimit, është para kolapsit financiar. 

Absurdi më i madh në gjithë këtë konfuzion dhe pasiguri të krijuar nga ana e Qeverisë, është se kjo rritje nuk po ndodhë si rezultat i investimeve të reja në funksion të sigurisë së furnizimit, por si rezultat i zhvendosjes së sigurisë sonë të furnizimit në tregun rajonal të importit.

Pra, pas pak më shumë se një dekade shtet, Qeveria po na kthen me vetëdije të plotë tek subvencionimi i tarifave dhe te reduktimet. Qeveria po instalon pabarazi dhe diskriminim.

Sipas planeve të paralajmëruara Qeveria ka premtuar subvencionim të sektorit për periudhën e ardhshme me rreth 75 milionë euro, por nga ana e saj nuk kemi asnjë informacion se cili do të jetë burimi i këtyre mjeteve, pasi që nuk kemi pozicion të tillë të paraparë me buxhetin e vitit 2022, edhe pse periudha në të cilën është draftuar dhe miratuar buxheti ka qenë periudhë e krizës së filluar dhe të paralajmëruar energjetike nga të gjitha qarqet. 

Po ashtu nuk kemi asnjë transparencë se si dhe cili do të jetë mekanizmi shpërndarës i këtij subvencionimi dhe mekanizmi monitorues i implementimit. 

Njëkohësisht nuk po shohim asnjë masë se si të ndihmohen konsumatorët e parregulluar (Trepça, Sharrcemi dhe Ferronikeli), të cilat janë në gjendje të rëndë e ku me mijëra familje punëtorësh rrezikohen për të ardhmen e tyre. 

Dhe, më e rënda nga të gjitha, në 1 vjet qeverisje, nuk kemi fillimin e asnjë projekti kapital që do të adresonte nevojën për kapacitetet e reja gjeneruese në periudhën afatmesme edhe përkundër gatishmërisë së agjencive donatore dhe institucioneve financiare ndërkombëtare për të mbështetur Kosovën në këtë aspekt, e lëre më të flasim për vizion afatgjatë të sektorit. 

Një qasje e tillë e pa vizion, e papërgjegjshme karshi sfidave kaq të mëdha të sektorit, e padrejtë dhe diskriminuese karshi qytetarëve, familjeve dhe bizneseve, e paaftë për gjetjen e zgjidhjeve, po e vështirëson edhe më shumë gjendjen ekonomike, sociale dhe shëndetësore në vendin tonë. 

Prandaj përsëri i bëjmë thirrje Qeverisë që të tregohet e përgjegjshme, të dëshmojë aftësi dhe kompetencë, e jo padrejtësi dhe diskriminim, që qytetarëve t’u sigurojë energji të mjaftueshme pa ngritje të çmimeve.