Vlora Çitaku: Ftoj qytetarët e komunave në balotazh të dalin të votojnë për të zgjedhur udhëheqësit e tyre më të mirë

Prishtinë, 14 nëntor 2021 - Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku përmes një konference për media ftoi qytetarët e komunave të Kosovës, të cilat janë në balotazh, të dalin e ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. 

Çitaku  tha se sot është ditë vendimtare për të ardhmen katër vjeçare të këtyre komunave, qytetarët e të cilave e kanë mundësinë që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë. 

"Më 17 tetor, disa prej komunave të vendit përmbyllën garën me sukses në raundin e parë dhe tashmë kanë kryetarët e zgjedhur me votë demokratike për katër vitet e ardhshme. Sot, qytetarët e komunave në balotazh e kanë mundësinë që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë të komunave të tyre. Andaj, i ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin në mënyrë sa më masive ta shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe të japin verdiktin e tyre se kush dëshirojnë që t'i udhëheqë në katër vitet e ardhshme.", tha ajo. 

Çitaku  theksoi se të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, gratë dhe burrat e vendit, me votën e tyre sot, do ta fuqizojnë demokracinë dhe shtetin e Kosovës duke vendosur për të ardhmen e tyre dhe fëmijëve të tyre.  

"Këto zgjedhje janë ekskluzivisht për qytetarët, për të pasur institucione lokale funksionale, të cilat duhet të punojnë për t'i përmbushur kërkesat dhe nevojat e tyre. Nga mijëra aktivistë të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët janë të angazhuar në procesin zgjedhor të raundit të dytë në tërë territorin e vendit, vlerësohet se mbarëvajtja e deritashme e procesit zgjedhor po shkon mirë. Dhe shpresoj që në fund të ditës, demokracia të jetë fituesi dominant në këto zgjedhje.", përfundoi ajo.


PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.