Bedri Hamza prezanton programin: Stop Krizës. Ndrysho Kosovën!
Prishtinë, 30 maj –Bedri Hamza prezanton programin: Stop Krizës. Ndrysho Kosovën!
Kryetari i PDK-së dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, prezantoi programin qeverisës me të cilin synon t’i japë fund krizës dhe t’i hapë rrugë një etape të re zhvillimi për Kosovën.
Programi përmban zgjidhje konkrete për sfidat me të cilat përballen qytetarët çdo ditë – nga çmimet e larta dhe pagat e ulëta, te energjia, shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik dhe forcimi i shtetit.
Me mesazhin “Stop Krizës. Ndrysho Kosovën!”, PDK paraqitet para qytetarëve me vizion, përgjegjësi dhe plan të qartë për një Kosovë më të zhvilluar, më të drejtë dhe me më shumë mundësi për të gjithë.
Kliko këtu për të shkarkuar programin qeverisës.
Bedri Hamza zgjidhet kryetar i PDK-së: Vazhdojmë së bashku drejt fitoreve të reja
Prishtinë, 17 nëntor – Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur Konventën e dymbëdhjetë zgjedhore, ku Bedri Hamza është zgjedhur kryetari i ri i PDK-së.
Kryetari i sapozgjedhur i PDK-së, Bedri Hamza i ka falënderuar delegatët dhe bashkëpartiakët e tij për besimin, mbështetjen dhe drejtimin e ri që i dhanë PDK-së.
“Sot më dhatë një përgjegjësi të madhe, një nder të jashtëzakonshëm dhe një detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë. Falë punës, sakrificës dhe besimit tuaj, PDK-ja vazhdon të jetë shtëpia jonë e përbashkët”, ka thënë ai.
Hamza ka theksuar se Kosova tani ka nevojë për PDK-në e bashkuar dhe me vizion të qartë.
“Si kryetar i ri, premtoj se do ta hapim partinë tonë për secilin qytetar që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona lokale dhe qendrore. Do të përfshijmë më shumë të rinj në vendimmarrje dhe aktivitete. Do ta ndërtojmë frymën e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë që Kosovës i duhet. Ne do të ecim vetëm përpara, me përgjegjësi, me maturi dhe me zotimet që do t’i mbajmë deri në fund. Rruga përpara kërkon guxim e vendosmëri. Dhe ne e kemi!”, ka shtuar ai.
Ai i ka falënderuar anëtarësinë dhe strukturat e PDK-së për angazhimin dhe përkushtimin e tyre për Kosovën.
“Do t’i jap familjes sime politike gjithçka që mundem, ashtu siç ajo më dha gjithçka mua. Vazhdojmë së bashku, pa u ndalur, drejt fitoreve të reja. Faleminderit delegatë. Faleminderit PDK”, ka përfunduar Hamza.
Bedri Hamza u zgjodh kryetar i PDK-së pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm, Memli Krasniqi.
Krasniqi pas 4 viteve e 4 muajve në krye të PDK-së ka falënderuar delegatët e Konventës që ia dhanë besimin në një prej periudhave më sfiduese në historinë e partisë.
“Për më shumë se 20 vjet, PDK është shtëpia ime politike. Vendi ku u rrita, ku u testova, ku mësova, ku shërbeva dhe ku fitova. Vendi ku pata nderin historik të jem një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Vërtetë, ka qenë dhe është nderi më i madh i jetës sime që të udhëheq këtë parti. Partinë e krenarisë sonë kombëtare. Partinë që ka shkruar faqet më të ndritura të historisë së Kosovës. Partinë që e kanë udhëhequr dy burra që kanë shkruar epokën më të lavdishme të vendit tonë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Prej tyre kam mësuar shumë, por mbi të gjitha faktin se lidershipi nuk është privilegj. Është përgjegjësi”, ka theksuar Krasniqi.
Ai tha se ndjehet krenar që gjatë kësaj periudhe të udhëheqjes së tij, si rezultat i punës ekipore, PDK u ngrit dhe u forcua me fitore në zgjedhje lokale e komuna të rëndësishme anekënd vendit, me rikthimin e besimit të me rreth 200 mijë vota, me unitet të brendshëm, duke u bërë sërish forca më e besuar kombëtare, partia te e cila qytetarët kthehen kur vendi ka nevojë.
“Kur mora drejtimin e partisë, PDK gjendej në një udhëkryq. E lënduar nga e kaluara, e tronditur nga ngjarje të papritura, dhe nën presion të madh politik. Me pesë komuna nën qeverisjen tonë, me 148 mijë vota në zgjedhje nacionale, me 18 deputetë dhe me rezultat 11% në sondazhe. Në atë periudhë, disa flisnin për rënie, disa për krizë, disa madje për fillim të fundit për partinë tonë. Por, së bashku, gur mbi gur, ditë pas dite, ne e ringritëm PDK-në”, ka shtuar ai.
Krasniqi ka bërë thirrje për bashkim dhe unitet, sepse PDK e bashkuar është PDK e pandalshme.
“Prandaj sot, nga kjo foltore, dua t’u bëj një thirrje të qartë të gjithëve që qoftë edhe një herë gjatë jetës së tyre kanë thënë: Unë jam PDK: Ejani. Bashkohuni. Rikthehuni në shtëpinë tuaj politike. Asnjë prej nesh nuk jemi mbi familjen tonë politike. Le t’i forcojmë radhët dhe le t’i japim Kosovës atë që e meriton. Një alternativë të fortë, moderne, profesionale. Një qeverisje të kompetencës, jo të kaosit. Një lidership të unitetit, jo të përçarjes. Sepse, Kosova nuk ecën përpara pa një PDK të bashkuar”, ka theksuar Krasniqi.
Komunikatë për Media
Prishtinë, 30 gusht 2025 – Sot, Kryetari i Kuvendit shpalli të përfunduar konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pa u zbatuar në tërësi Neni 67 i Kushtetutës së Kosovës. Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kuvendi ende nuk është i konstituuar, sepse nuk është zgjedhur Kryesia e tij në përbërjen e plotë kushtetuese.
Në këto rrethana, PDK e konsideron të pakuptimtë ftesën për takim të Kryesisë së Kuvendit që nuk është konstituuar dhe nuk merr pjesë në takime të tilla, të cilat i shërbejnë vetëm agjendave partiake e jo interesit të shtetit.
PDK vlerëson se zvarritjet e qëllimshme në procesin e themelimit të institucioneve shtetërore, të shkaktuara nga partia e parë, janë skajshmërisht të rrezikshme për Republikën e Kosovës.
Edhe pse nuk kishte detyrim kushtetues apo politik, Partia Demokratike e Kosovës mori mbi vete përgjegjësinë institucionale duke votuar për Kryetarin e Kuvendit, me qëllim të vetëm zhbllokimin e institucionit më të lartë përfaqësues të qytetarëve.
Megjithatë, veprimet e mëtejshme dhe skemat populiste të Vetëvendosjes po e dëshmojnë qartë frikën e saj nga hyrja e ligjshme në afatet kushtetuese për të provuar krijimin e qeverisë së re. Kjo qasje, me fajin e tyre, po e shtyn Kosovën drejt një krize të re institucionale, pasojat e së cilës do t’i bartin shteti dhe qytetarët tanë.
PDK dorëzon listën finale në KQZ: 33 kandidatë për kryetarë komunash, 36 lista për Kuvende Komunale dhe 878 kandidatë për asamble
Prishtinë, 13 gusht – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën përfundimtare të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe për këshilltarë të kuvendeve komunale, duke hyrë zyrtarisht në garën e 12 tetorit me përfaqësimin më të gjerë në nivel vendi.
Në këto zgjedhje, PDK do të garojë me 33 kandidatë për kryetarë komunash, prej të cilëve tri janë gra, si dhe me lista të këshilltarëve në 36 komunat e Kosovës. Përveç kësaj, PDK do të jetë e pranishme në Kllokot dhe Mamushë vetëm me listë për Kuvendin Komunal, ndërsa në Graçanicë do të marrë pjesë në një listë të përbashkët të të gjitha partive shqiptare.
Kjo përfshirje e bën PDK-në partinë me praninë më të madhe dhe më gjithëpërfshirëse në zgjedhjet lokale të këtij viti, duke dëshmuar lidershipin dhe përkushtimin e saj për t’u shërbyer qytetarëve në çdo cep të vendit.
Në nivel të këshilltarëve komunalë, PDK do të garojë me 878 kandidatë, prej të cilëve 555 janë burra (63%) dhe 323 janë gra (37%). Ky raport e vendos PDK-në ndër partitë me përfaqësimin më dinjitoz të grave në listat zgjedhore në nivel vendi, duke reflektuar angazhimin e saj për barazi dhe fuqizim të grave në politikë.
“PDK po hyn në këtë garë me ekipin më të gjerë, më të përgatitur dhe më të përkushtuar për të udhëhequr komunat tona drejt zhvillimit dhe mirëqenies. Kjo është një garë për punë, rezultate dhe për të ardhmen e qytetarëve tanë”, theksoi Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Partia Demokratike e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që më 12 tetor të votojnë për vizionin, programin dhe kandidaturat që garantojnë zhvillim, stabilitet dhe mirëqenie për çdo komunë.
Lista e plotë e 33 kandidatëve për kryetarë të komunave:
1. Prishtinë – Uran Ismaili
2. Ferizaj – Agim Aliu
3. Prizren – Shaqir Totaj
4. Mitrovicë – Arian Tahiri
5. Vushtrri – Ferit Idrizi
6. Skenderaj – Sami Lushtaku
7. Drenas – Petrit Hajdari
8. Kaçanik – Sabedin Vishi
9. Hani i Elezit – Mehmet Ballazhi
10. Gjilan – Riad Rashiti
11. Pejë – Arta Nallbani
12. Gjakovë – Ervin Shabani
13. Klinë – Sokol Bashota
14. Lipjan – Shukri Buja
15. Shtime – Përparim Ramusa
16. Dragash – Shaban Shabani
17. Malishevë – Gëzim Krasniqi
18. Rahovec – Edon Cana
19. Suharekë – Dardan Berisha
20. Podujevë – Isak Shabani
21. Fushë Kosovë – Rrahim Tërrnava
22. Kamenicë – Jona Arifi
23. Viti – Bekim Azizi
24. Istog – Ali Nimanaj
25. Obiliq – Nysret Kelmendi
26. Deçan – Korab Mushkolaj
27. Zubin Potok – Izmir Zeqiri
28. Zveçan – Ilir Peci
29. Mitrovicë e Veriut – Flutura Hamza
30. Leposaviq – Shaqir Hetemi
31. Shtërpcë – Garip Sahiti
32 Novobërdë – Selatin Nuhiu
33. Junik – Fatos Shala
Uran Ismaili prezanton Listën për Asamblenë e Prishtinës: 70% kandidatë të rinj dhe mbi 40% gra
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka prezantuar listën e 56 kandidatëve të PDK-së për Asamble Komunale të Prishtinës. Lista përbëhet nga profesionistë, arkitektë, urbanistë, dhe qytetarë aktivë nga çdo lagje e Prishtinës, të cilët, sipas tij, e njohin nga afër realitetin e qytetit dhe kanë vullnetin për të kontribuar në një qeverisje që ua kthen vendimmarrjen qytetarëve.
Në këtë ekip, mbi 40% janë gra, ndërsa 70% e kandidatëve garojnë për herë të parë, duke sjellë energji të re dhe përfaqësim të gjerë nga Velania në Ulpianë, nga Dardania në Arbëri, nga Bregu i Diellit në Kodër të Trimave e deri te Kolovica dhe Hajvalia.
“Sot e kam nderin t’ju prezantoj me ekipin tim që do t’ju përfaqësojë në Asamblenë e Prishtinës. Një listë me qytetarë aktivë nga çdo lagje e Prishtinës që i njohin problemet e qytetit dhe e kanë vullnetin të bashkëpunojnë për ta bërë Prishtinën një qytet që funksionon.” shkruan Ismaili në postim.
Ai ka ftuar qytetarët që ta përkrahin listën për Prishtinën, e cila përfaqëson më së miri atë cfarë qyteti synon të jetë gjatë katër viteve të ardhshme: i jetueshëm dhe funksional.
Lista e plotë me emrat e kandidatëve për Asamblenë Komunale të Prishtinës: www.kohaperprishtinen.com
Tahiri: 5 vrasje në 48 orë – Kosova në krizë sigurie, bandat kriminale të lidhura me pushtetin e kanë kapur shtetin
Prishtinë, 12 gusht – Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se rastet tronditëse të pesë vrasjeve të rënda në 48 orët e fundit, pas një serie tjetër të vrasjeve që ndodhën nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, janë pasqyra më e qartë e dështimit të plotë të shtetit për të mbrojtur jetën e qytetarëve.
Tahiri, në një konferencë për media, theksoi se Kosova po kalon nëpër një gjendje alarmante të sigurisë, ku po mbretërojnë bandat kriminale të inkurajuara dhe mbrojtura nga pushteti.
“Bandat kriminale, narkotrafikantët, fajdexhitë, janë bërë të guximshëma dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin, duke u bërë pjesë e një zinxhiri të rrezikshëm që tashmë ka lidhur krimin me politikën dhe institucione të tjera ligjzbatuese. Partia Demokratike e Kosovës ju shpreh ngushëllime më të thella familjeve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga këto vrasje. Në të njëjtën kohë, shprehim shqetësimin e madh, për dështimin e organeve ligjzbatuese për të vendosur rend, rregull dhe të garantojnë sigurinë e qytetarëve tanë”, tha ai.
Tahiri, duke theksuar tri nga rastet që faktojnë lidhjen e bandave kriminale me eksponentë të pushtetit, tha se kjo situatë është një thirrje alarmi për të gjithë.
“15 gusht 2023 – Besnik Mujeci, asamblist i Vetëvendosjes në Prishtinë, arrestohet në Shqipëri për trafikim dhe shitje të narkotikëve. U kap me 11,300 tableta ekstazi MDMA, peshë mbi 5 kilogramë, vlerë rreth 400 mijë euro. 3 qershor 2025 – Një operacion i gjerë antidrogë çon në arrestimin e 22 personave. Mes tyre, Shemsi Bahtiri, anëtar aktiv i Vetëvendosjes në Qendrën e Prishtinës, një nga figurat kyçe të një rrjeti të trafikut të drogës ku u sekuestruan qindra mijëra euro para të gatshme e të falsifikuara, armë, llogari bankare, automjete luksoze dhe lëndë narkotike. 10 gusht 2025 – Gjilani tronditet nga një vrasje e trefishtë. Autori, Mefail Shkodra, i njohur për veprat e shumta penale, shihet i pranishëm në ahengjet e partisë në pushtet”, shtoi deputeti i PDK-së.
Sipas Tahirit, vetëm një qeveri e re, e vendosur, mund ta çkapë shtetin nga krimi, t’i çojë para drejtësisë të gjithë ata që kanë gjak në duar e pasuri nga droga dhe korrupsioni, dhe do ta rikthejë rendin, sigurinë dhe ligjin mbi të gjithë.
“Duhet të jetë misioni i secilit prej nesh, çkapja e shtetit nga bandat kriminale që sot po terrorizojnë shoqërinë tonë. Rritja e numrit të armëve pa leje në duart e qytetarëve tanë, është e frikshme. Sot, aktualisht kemi rreth 250 mijë armë janë pa leje në vendin tonë. Si PDK, në legjislaturën e re, pas konsolidimit të institucioneve dhe qeverisë së re, do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal dhe legjislacionit përkatës për të ashpërsuar dënimet për armëmbajtjen pa leje. Kushdo që posedon apo përdorë armë ilegalisht, duhet të përballet me burg, pa përjashtim. Kosova nuk mund të jetë një vend ku jeta njerëzore humb vlerën. Dhe, jo, kjo nuk është vetëm një betejë politike. Është një betejë për jetën, për paqen, për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e vendit”, përfundoi Tahiri.
Tahiri: Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese konfirmoi qëndrimin e PDK-së se VV e ka mbajtur peng Kuvendin
Prishtinë, 8 gusht – Deputeti Partisë Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri e ka cilësuar aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese si konfirmim të plotë të qëndrimit të PDK-së se Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur peng Kuvendin për muaj me radhë, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Tahiri, në një konferencë për media, ka thënë se Grupi Parlamentar i PDK-së nuk ka marrë pjesë në asnjë votim, sepse e ka lexuar drejt aktvendimin paraprak të Gjykatës Kushtetuese.
“Në vazhdimësi i kemi kërkuar z. Dehari ta respektojë aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, pra para këtij aktgjykimi që doli sot dhe ta respektojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, gjë të cilën e refuzonte në vazhdimësi. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj, të shpallur sot shpalli të pavlefshme të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025 për shkak të moszbatimit të aktgjykimit të mëhershëm të shkeljeve të rënda procedurale dhe kushtetuese”, shtoi ai.
Tahiri tha se përkundër vendimit të gjykatës, pret që VV të veprojë njëjtë duke u munduar të vendosë një rend të ri në kundërshtim me Kushtetutën.
“Jemi të lumtur që tashmë nuk do ta kemi barrikadën që e pati vendosur z. Kurti me zonjën Haxhiu, si një barrikadë që nuk mund ta kalonim për të krijuar institucionet. Mirëpo, e njëjta nuk mund të dalë në votim më shumë se tri herë dhe shpresojmë që gjatë kësaj periudhe do të arrijmë në pikën kur do ta gjejmë një kanididat, i cili do ta ketë edhe votën e grupeve tjera parlamentare”, tha Tahiri.
PDK garon në 36 komuna në zgjedhjet lokale: miratohet lista përfundimtare e kandidatëve për kryetarë të komunave
Prishtinë, 27 korrik 2025 – Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën janë diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, si dhe është miratuar lista përfundimtare e kandidatëve për kryetarë të komunave.
Pas përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, PDK vlerëson se, për fat të keq, Kosova tashmë po ecën në një territor të panjohur kushtetues, institucional, shtetëror dhe shoqëror. Në këtë terren të mjegullt, Kosova nuk është vetëm e humbur në koordinatat e brendshme, por edhe gjithnjë e më e paorientuar në hartën ndërkombëtare.
PDK do të pres aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për lëndën e dërguar nga deputetët tanë, me shpresë qe do të qartësohet rruga për themelimin e intitucioneve të rjea dhe legjitime.
Sa i përket zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, Partia Demokratike e Kosovës hyn në këtë proces e mobilizuar fuqihëm dhe me synimin jo vetëm për të rifituar komunat ku aktualisht qeveris me përgjegjësi dhe rezultate konkrete, por edhe për të fituar në komuna të tjera të rëndësishme, aty ku qytetarët kërkojnë një vizion të ri dhe një qeverisje më të mirë për të ardhmen e tyre.
Në frymën e këtij angazhimi, Kryesia e PDK-së, në bazë të nenit 48, paragrafi 13 të Statutit të Partisë, ka votuar dhe miratuar sot listën përfundimtare të 31 kandidatëve për kryetarë të komunave.
Për degët e PDK-së në Deçan, Drenas, Gjilan, Istog, Junik, Kamenicë, Malishevë, Obiliq, Podujevë, Rahovec dhe Suharekë, të cilat kanë organe të emëruara apo që janë të përcaktuara sipas vendimit të Këshillit Drejtues të PDK-së të datës 28 mars 2022, është zbatuar Rregullorja për përcaktimin e kritereve dhe mënyrës së përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë komunash, e miratuar nga Këshilli Drejtues i PDK-së.
Rrjedhimisht, për disa nga këto degë, të cilat kanë pasur më shumë se një kandidat për kryetar të komunës, është zhvilluar procedura e votimit të fshehtë, sipas kritereve të përcaktuara në rregullore dhe në statut.
Kandidaturat që janë miratuar nga Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës janë si vijon:
1. Prishtinë – Uran Ismaili
2. Ferizaj – Agim Aliu
3. Prizren – Shaqir Totaj
4. Mitrovicë – Arian Tahiri
5. Vushtrri – Ferit Idrizi
6. Skenderaj – Sami Lushtaku
7. Drenas – Petrit Hajdari
8. Kaçanik – Sabedin Vishi
9. Hani i Elezit – Mehmet Ballazhi
10. Gjilan – Riad Rashiti
11. Pejë – Arta Nallbani
12. Gjakovë – Ervin Shabani
13. Klinë – Sokol Bashota
14. Lipjan – Shukri Buja
15. Shtime – Përparim Ramusa
16. Dragash – Shaban Shabani
17. Malishevë – Gëzim Krasniqi
18. Rahovec – Edon Cana
19. Suharekë – Dardan Berisha
20. Podujevë – Isak Shabani
21. Fushë Kosovë – Rrahim Tërrnava
22. Kamenicë – Jona Arifi
23. Viti – Bekim Azizi
24. Istog – Ali Nimanaj
25. Deçan – Korab Mushkolaj
26. Zubin Potok – Izmir Zeqiri
27. Zveçan – Ilir Peci
28. Mitrovicë e Veriut – Flutura Hamza
29. Leposaviq – Shaqir Hetemi
30. Shtërpcë – Garip Sahiti
31. Novobërdë – Selatin Nuhiu
Partia Demokratike e Kosovës shpreh mirënjohje të veçantë për kontributin e katër kryetarëve aktualë të komunave: Bedri Hamza (Mitrovicë), Ramiz Lladrovci (Drenas), Fadil Nura (Skenderaj) dhe Besim Ilazi (Kaçanik), të cilët nuk janë kandidatë në këto zgjedhje, por që gjatë mandatit të tyre kanë ofruar një qeverisje efikase për qytetarët dhe një përfaqësim dinjitoz të vlerave të PDK-së.
Me miratimin e kësaj liste, përmbyllet zyrtarisht procesi i kandidimit për kryetarë të komunave.
PDK do të garojë gjithashtu në katër komuna të tjera, Obiliq, Junik, Kllokot dhe Mamushë, vetëm me listë të kandidatëve për Kuvendin Komunal. Ndërkaq, në Graçanicë, do të garoj në një listë të përbashkët me të gjitha partitë tjera shqiptare.
Ne besojmë fuqishëm se në zgjedhjet e 12 tetorit do të fitojë sërish vizioni ynë për një qeverisje të ndershme, efikase dhe në shërbim të çdo qytetari, vizion që do të reflektohet në çdo komunë ku PDK do të marrë përgjegjësinë e qeverisjes.
Gruda, PDK: Mbajtja e pozitës së ministrit dhe deputetit përbën vepër penale, ftojmë Prokurorinë të zbatojë vendimin e Supremes
Prishtinë, 16 korrik 2025 – Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda tha se vendimi i djeshëm i Gjykatës Supreme, i bazuar në Ligjin për Qeverinë, ka vulosur faktin se mbajtja e funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave që njëkohësisht janë edhe deputetë, është e kundërligjshme dhe jokushtetuese.
Gruda, në një konferencë për media tha se pas këtij aktgjykimi, çdo ditë që këta zyrtarë publikë vazhdojnë të mbajnë dy funksione, nënkupton kryerje të veprës penale të moszbatimit të vendimit gjyqësor.
“Dje, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e shpalli të paligjshëm Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 për pajisjet elektronike fiskale. Ky vendim u bazua në Ligjin për Qeverinë, i cili e ndalon ushtrimin e funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave që janë njëkohësisht edhe deputetë. Në këtë rast, ministri i financave, Hekuran Murati, nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe ministrit. Ky vendim nuk vlen vetëm për një individ, por për të gjithë ministrat dhe për vetë Kryeministrin Kurti, të cilët aktualisht janë edhe deputetë në Kuvendin e Kosovës. Gjykata ka vulosur një të vërtetë që ne e kemi theksuar që nga dita e parë: mbajtja e funksioneve të dyfishta është e kundërligjshme dhe jokushtetuese. Kjo është edhe arsyeja që në seancën e parë e kemi kundërshtuar edhe raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve”, theksoi ai.
PDK i bën thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrave që janë njëkohësisht deputetë që të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke i liruar menjëherë funksionet ekzekutive për t’ua deleguar ato zëvendësve të tyre, si dhe kërkon që ata të ndalin sulmet ndaj gjyqësorit.
“Gjithashtu, i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të jetë vigjilente dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi gjyqësor, i cili është i menjëhershëm dhe i detyrueshëm. Kosova ka nevojë për sundim të ligjit, jo për shtet të njerëzve mbi ligjin”, tha Gruda.
Tutje, Gruda, ka reaguar ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, që sot e kanë refuzuar mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, ish-Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
“Partia Demokratike e Kosovës, pa u futur në paragjykime për prapaskenat e këtij vendimi, shpreh keqardhje të thellë, sepse ky ishte një rast i humbur për të forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet themelore që ajo duhet të mishërojë: objektivitetin, paanshmërinë dhe të vërtetën. Është e papranueshme që asnjë kërkesë e mbrojtjes nuk merret parasysh, ndërkohë që gjykata dhe prokuroria veprojnë si një trup i vetëm”, tha ai.
Sipas Grudës, vendimet e deritanishme dhe rregullorja e kësaj gjykate dëshmojnë se mbrojtja nuk trajtohet në mënyrë të barabartë me prokurorinë.
“Megjithatë, ne besojmë fuqishëm se drejtësia, sado që vonon, në fund gjithmonë mbështetet mbi të vërtetën. Dhe e vërteta në këtë rast është e pakontestueshme: Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me besim të palëkundur vendimin përfundimtar për lirimin e tyre të plotë dhe të përhershëm”, theksoi deputeti Gruda.
PDK dorëzon kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e shkeljeve në seancën konstituive të Kuvendit
Prishtinë, 3 korrik 2025 – Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.
Kjo kërkesë, e paraqitur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, konteston:
1. Kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë;
2. Hedhjen në votim të këtij Komisioni;
3. Vetë votimin e Komisionit;
4. Ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit.
Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën kushtetuese që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit.
Në kërkesën e dorëzuar, PDK ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që:
• Të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë;
• Të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive;
• Të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur dhe transparent, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare.
Ky hap është thelbësor për të ndalur tendencën për përmbysje të rendit demokratik dhe për të garantuar që asnjë shumicë e përkohshme parlamentare të mos e vë veten mbi Kushtetutën.
Partia Demokratike e Kosovës mbetet e vendosur në mbrojtje të ligjshmërisë, demokracisë dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës.
Grupi Parlamentar i PDK-së