Krasniqi: Bombardimet e NATO-s i hapën rrugë fitores tonë, për keqardhje që s’ka manifestim zyrtar institucional

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se dita e nisjes së bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999 është “moment historik për popullin tonë”.

Krasniqi shkroi se sot “Kosova qëndron si një testament i fuqisë së unitetit, guximit dhe qëndrueshmërisë së botës demokratike”.

Postimi i Memli Krasniqit:

Sot, shënojmë 25 vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë, një moment ky historik për popullin tonë.

Nga 24 marsi i vitit 1999, për 78 ditë me radhë, bombardimet e NATO-s ndalën gjenocidin serb në Kosovë dhe i hapën rrugë fitores tonë përfundimtare, bashkë me burrat dhe gratë e UÇK-së, në realizimin e përpjekjeve të gjata të popullit tonë për liri dhe pavarësi.

Sot, derisa shikojmë përparimin që kemi bërë si vend, sfidat nëpër të cilat kemi kapërcyer dhe ëndrrat që kemi realizuar në ndërtimin e një shteti – ne rikujtojmë miqtë tanë të shtrenjtë që ishin aty për ne në orët tona më të errëta.

Prandaj, mirënjohja për forcat e NATO-së, të prira nga SHBA-të, është e përhershme dhe e paharruar. Sot, Kosova qëndron si një testament i fuqisë së unitetit, guximit dhe qëndrueshmërisë së botës demokratike.

Është për keqardhje që ky jubile kaq i rëndësishëm, që ka përcaktuar të ardhmen e shtetit dhe popullit tonë, e gjen Kosovën pa një manifestim zyrtar institucional. Një tjetër veprim i gabuar i këtij pushteti, që shpërfaq mendësinë shpërfillëse dhe mosmirënjohëse ndaj aletatëve tanë të përhershëm.

Megjithatë, nga zemra, duke uruar që shumë shpejtë të jemi edhe ne pjesë e saj, për aleancën e NATO-s kemi vetëm një fjalë: Faleminderit!

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.