Memli Krasniqi: Zgjedhjet lokale janë për qytetarët e jo për politikanët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Meliza, ka votuar sot në ora 9 e 45 në Shkollën Fillore "Hasan Prishtina", nga ku i ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin e të votojnë për udhëheqësit e komunave.

Ai tha se zgjedhjet lokale janë për qytetarët e jo për politikanët, andaj edhe pjesëmarrja sa më e madhe e qytetarëve është shumë e rëndësishme.

"Unë jam udhëheqës i opozitës, por sot këtu para së gjithash jam qytetar i Prishtinës. Jam banor që me familjen time jetoj në këtë qytet. Andaj, edhe ky obligim qytetar, kjo votë, para së gjithash bëhet si qytetar i Prishtinës që e dëshiron më të mirën për Komunën e tij, për vendin e tij. Shpresoj që edhe gjithë qytetarët tjerë, këtu në Prishtinë, por edhe anë e mbanë Kosovës do të ushtrojnë të drejtën e tyre, obligimin e tyre demokratik për të zgjedhur kandidatët më të mirë, ata që ju besojnë më së shumti. Sepse në fund të fundit, unë besoj fuqishëm që Zgjedhjet Lokale para së gjithash janë zgjedhje për qytetarët e jo për politikanët. Andaj edhe pjesëmarrja sa më e madhe është e rëndësishme për të dhënë verdiktin demokratik se kush duhet të na udhëheqë në komunat tona në katër vitet e ardhshme. Shpresoj shumë që do të kemi një ditë të mirë ku demokracia do të jetë fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve”, tha ai.

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.