Cka është Kabineti Për Qeverisje të Mirë?

Të dashur bashkëqytetarë,

Partia Demokratike e Kosovës ka një trashëgimi të madhe e domethënëse në projektet kombëtare të lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit, ndërsa nga sot, me një frymë të re dhe me shikim kah e ardhmja, ne po vazhdojmë në një rrugëtim të ri dhe tejet të rëndësishëm për vendin dhe qytetarët, atë të shpresës dhe perspektivës. Në një klimë politike kur sfidat janë të forta e qeverisja është e dobët, kur demokracia po rrezikohet dhe e ardhmja po bëhet e pasigurt, e kur mirëqenia e qytetarëve po lëndohet seriozisht nga një ekonomi në rënie, ne kemi vendosur të përgjigjemi me një platformë të duhur dhe me një vizion të ri politik - të bazuar në dije dhe kompetencë.

Ditët e qeverisjes depresive duhet të marrin fund, prandaj e shohim të domosdoshme që qytetarëve t’u ofrojmë një perspektivë të re dhe një zotim të palëkundur për të ardhmen që duhet ta ndërtojmë së bashku. Për këtë vizion kaq të nevojshëm dhe kaq domethënës, Partia Demokratike po themelon Kabinetin e Qeverisjes së Mirë – me të cilin do të shpalosë politikat alternative të qeverisjes që sot i mungojnë Kosovës, e që i duhen asaj më shumë se kurrë. Përmes këtij Kabineti, ne do të shpalosim para qytetarëve vizionin dhe modelin e qeverisjes së ardhshme që do të udhëhiqet nga PDK. Për më shumë se dy vite tashmë, Partia Demokratike e Kosovës ka qëndruar dinjitetshëm si udhëheqëse e opozitës përballë keqqeverisjes, paaftësisë dhe degradimit të sferës institucionale nga pushteti aktual. Së bashku me ju, e për dobinë e gjithsecilit qytetar, kemi ngritur tema, kemi ekspozuar inkompetencën e abuzimin dhe kemi kërkuar llogari nga pushteti, i cili, jo vetëm që s’ka përmbushur premtimet elektorale, por e ka ngulfatur perspektivën zhvillimore të Kosovës. Kjo Qeveri e ka humbur çdo momentum të mundshëm për të bërë diçka të mirë e domethënëse për Kosovën. Por, Kosova është atdheu ynë i përbashkët dhe e ardhmja e saj – ashtu siç e ëndërrojmë dhe e meritojmë si qytetarë - është mision që na obligon të gjithëve, pavarësisht përgjegjësive që kemi sot e që do t’i kemi nesër. Prandaj, nga sot, përpjekjeve tona i shtohet edhe Kabineti per Qeverisje të Mirë, i cili vjen si platformë politike që i del përballë keqqeverisjes dhe u del në krah qytetarëve. Si alternativë që do të korrektojë qeverisjen aktuale e do të ofrojë vizionin e qeverisjes së ardhshme. Si pasqyrë konkrete e vizionit tonë politik se si e mendojmë qeverinë dhe qeverisjen që i duhet Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Kabineti i Qeverisjes së Mirë do të përbëhet nga 15 Departamente, respektivisht:

-Departamenti për Ekonomi, Tregti dhe Ndërmarrësi;

-Departamenti për Agjendë të Gjelbër;

-Departamenti për Transformim Digjital dhe Inovacion;

-Departamenti për Bujqësi dhe Zhvillim Rural;

-Departamenti për Punë Publike dhe Investime Kapitale;

-Departamenti për Financa;

-Departamenti për Drejtësi;

-Departamenti për Punë të Brendshme, Administratë Publike dhe Qeverisje Lokale;

-Departamenti për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare;

-Departamenti për Arsim, Shkencë dhe Kapital Njerëzor;

-Departamenti për Kulturë, Sport dhe Turizëm;

-Departamenti për Shëndetësi;

-Departamenti për Përkujdesje Sociale;

-Departamenti për Punë të Jashtme dhe Agjendë Evropiane; si dhe

-Departamenti për Mërgatë dhe Bashkëpunim Ndërshqiptar;


Këto departamente do të udhëhiqen nga Koordinatorët përkatës dhe do të përfshijnë profile njerëzish kompetentë, me përgatitje akademike e përvojë politike e menaxheriale, të gatshëm e me vullnet që të ofrojnë dijen dhe angazhimin e tyre në dobi qytetarëve. Ekipet e Departamenteve të Kabinetit për Qeverisje të Mirë përbëhen jo vetëm nga personalitete e zyrtarë nga radhët e PDK-së, por edhe nga ekspertë e kuadro që po bashkohen me ne në këtë projekt të përbashkët, për të ndërtuar bashkërisht vizionin për të ardhmen e Kosovës që duam. Ne besojmë se për të fuqizuar demokracinë, për të mundësuar zhvillimin ekonomik, për të ndërtuar një bazë të qëndrueshme për një Kosovë prosperuese e të zhvilluar dhe të integruar në strukturat euro-atlantike, puna jonë do fokusohet në arritjen e objektivave konkrete prioritare, që janë:

-Ekonomi transformuese, digjitale dhe e gjelbër;

-Rend publik dhe siguri qytetare;

-Kulturë dhe kapital njerëzor konkurrues;

-Shëndetësi cilësore dhe dinjitet njerëzor; si dhe

-Diplomaci aktive dhe bashkëpunim ndërshqiptar;


Për t’i përmbushur këto prioritete, që janë prioritete të Kosovës dhe qytetarëve tanë, struktura dhe misioni i KQM-së do të ofrojë alternativën e qeverisjes efikase që do të ofrojë zgjidhje konkrete politike, ekonomike e kombëtare, që u përgjigjen këtyre nevojave. E ardhmja ekonomike e Kosovës duhet të ketë në themelet e veta komponentë si: inovacionin, konkurrencën e lirë, zhvillimin teknologjik dhe mbrojtën e mjedisit. Një Kosovë e së ardhmes medoemos duhet të jetë e gjelbër dhe digjitale. Kjo kërkon politika dhe qasje të re në të gjitha fushat: nga financat e tregtia, deri tek energjia, minierat e bujqësia. Kërkon një transformim digjital dhe një efikasitet të shtuar në kryerjen e punëve publike. Mbi të gjitha, kërkon një sektor privat ndërmarrës dhe një sektor publik inovativ. Për ta shtruar këtë vizion ekonomik e zhvillimor, KQM do të ofrojë politika dhe alternativa konkrete përmes këtyre departamenteve:

-Ekonomi, Tregti dhe Ndërmarrësi;

-Agjendë të Gjelbër;

-Transformim Digjital dhe Inovacion;

-Punë Publike dhe Investime Kapitale;

-Bujqësi dhe Zhvillim Rural; si dhe

-Financa.


Për një Kosovë të tillë të së ardhmes, parakusht është sundimi i ligjit, një drejtësi e paanshme dhe efikase, një rend publik i sigurt dhe në shërbim të secilit, një siguri kombëtare e qëndrueshme dhe një koncept i mbrojtjes, i aftë për t’iu përgjigjur dinamikave të sigurisë në kohën tonë. Këtë perspektivë alternative në fushën e mbrojtjes, sigurisë kombëtare, rendit dhe ligjit do ta zhvillojnë:

-Departamenti i Drejtësisë.

-Departamenti i Punëve të Brendshme, Administratës Publike dhe Qeverisjes Lokale, dhe

-Departamenti i Mbrojtjes dhe Sigurisë Kombëtare.


Me një prej popullsive me moshën më të re në Evropë, vlera më e madhe e Kosovës janë të rinjtë dhe të rejat tanë, të cilët nuk përbëjnë thjeshtë një fuqi punëtore, por një potencial të pazëvendësueshëm. Ky kapital njerëzor duhet të gjejë rrugë për realizim, për t’u përgatitur për të ardhmen, jo vetëm në parametra të brendshëm, por edhe për tregun dhe konkurrencën globale. Departamenti për Arsim, Shkencë dhe Kapital Njerëzor, si dhe Departamenti për Kulturë, Sport dhe Turizëm do të zhvillojnë politika qeverisëse me plane e masa konkrete për arritjen e këtyre objektivave.Kjo ndërmarrje politike për të ardhmen nuk mund të zhvillohet pa u nisur nga përkujdesja për të sotmen. Një Kosovë e zhvilluar ekonomikisht dhe me mundësi për të gjithë është e mundur vetëm kur merr për bazë dimensionin social të një shoqërie të shëndoshë, kohezive, të drejtë dhe me përkujdesje për ata që kanë nevojë. Alternativën e Kosovës së shëndoshë e të mirëqenë, në kuadër të KQM-së do ta zhvillojnë Departamenti për Shëndetësi dhe Departamenti për Përkujdesje Sociale. Ne do të punojmë për ta ndërtuar një bazë të qëndrueshme e të sigurt për të gjitha këto fusha. Por, për t’i arritur ndryshimet e nevojshme dhe për t’i mirëmbajtur e zhvilluar objektivat tona të përbashkëta, është e domosdoshme ndjekja e interesave tona kombëtare e shtetërore dhe fuqizimi i tyre edhe në planin ndërkombëtar. Kosova e së ardhmes duhet të jetë një Kosovë e integruar në strukturat euro-atlantike.


Një Kosovë anëtare e NATO-se dhe e Bashkimit Europian. Një Kosovë, shtëpi e të gjithë qytetarëve të saj. Një Kosovë si shtëpi e mërgatës sonë. Një Kosovë lidere e hapësirës mbarë-shqiptare. Për t’i realizuar këto objektiva, KQM do të ofrojë vizionin e saj përmes dy departamenteve:

- Departamenti për Punë të Jashtme dhe Agjendë Evropiane; dhe

- Departamenti për Mërgatë dhe Bashkëpunim Ndër-shqiptar.


Të dashur bashkëqytetarë,

Ky rrugëtim që po nis sot brenda PDK-së me Kabinetin për Qeverisje të Mirë, do të vazhdojë me angazhimin tonë të përbashkët ditëve dhe javëve në vijim edhe jashtë strukturës së PDK-së, në diskutime të hapura me qytetarët e vendit. Në mënyrë që alternativat tona qeverisëse të jenë jo vetëm manifestim i kompetencës, dijes dhe vullnetit politik, por të jenë po ashtu gjithëpërfshirëse, të hapura e në përputhje me pritjet e qytetarëve, si Kryetar i PDK-së dhe si Udhëheqës i Kabinetit për Qeverisje të Mirë, në ditët e ardhshme do të jem së bashku me ju në çdo qytet e fshat, çdo lagje e vendbanim anekënd vendit, për të bashkëbiseduar dhe për t’i dhënë shpirt vizionit tonë të përbashkët për Kosovën. Andaj, shumë shpejt do ta nisim një diskutim të hapur me të gjithë, përmes platformës sonë “Dialog me Kosovën”.Sepse, më shumë se ckado tjetër, sot kemi nevojë për të dëgjuar njëri tjetrin e për të zbatuar në praktikë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të vendit tonë. Sepse, edhe Projektin Kombëtar të Lirisë dhe Pavarësisë e kemi arritur së bashku, dhe së bashku mund t’ia rikthejmë perspektivën Kosovës dhe shpresën qytetarëve tanë. Ju siguroj se koncepti ynë politik e reformues, që i duhet Kosovës sot më shumë se kurrë, do të arrijë tek gjithsecili qytetar.

Prandaj, për ta bërë këtë rrugëtim të mbarë e përmbajtjesor, na duhet mbështetja dhe zëri i gjithsecilit.


Memli Krasniqi

Kryetar i PDK-së



Shpërndaje:

PDK.info use cookies to give you a better navigation experience on our site. As soon as you continue the tour, we assume you accept the cookies policy. Learn more about the cookie policy we use here.